Kosovë Lajme Politikë

PDK-ja doli e para në Malishevë, Hamza minimizon efektin “Limaj“: Kemi vetëm pak më shumë vota se në dhjetor

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zgjedhur të jetë i matur dhe të mos i gëzohet fort rezultatit të partisë së tij në komunën e Malishevës, ndonëse PDK-ja kësaj radhe ka shënuar një rritje të ndjeshme duke u renditur e para.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së për komunën e Malishevës, PDK-ja ka shënuar një kërcim të madh nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ku kishte marrë vetëm 18.37% (5,063 vota), duke u pozicionuar e treta.

Në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2026, PDK-ja ka arritur të grumbullojë 40.27% (6,166 vota), duke lënë pas Lëvizjen Vetëvendosje.

Rrjedhimishit, PDK-ja mori 1,103 vota më shumë se në zgjedhjet e dhjetorit.

Ky rezultat pozitiv i PDK-së në Malishevë u lexua si një efekt të drejtpërdrejtë të përkrahjes që kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, i dha Bedri Hamzës në këtë garë.

Mirëpo, konferencën e sotme për media, Hamza ka minimizuar këtë ndikim dhe ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për ndonjë triumf madhështor në numra absolutë, duke pasur parasysh edhe rënien e daljes në votime (nga mbi 27 mijë votues në dhjetor, në rreth 16 mijë në vitin 2026).

“Është mirë se është fitore, mirëpo edhe aty nuk është se është ndonjë fitore me numër të madh të votave, është pak më shumë se sa që kemi pasur vota në dhjetor”, është shprehur Hamza përcjell Insajderi.

Ndryshe nga qëndrimi i Hamzës, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka bastionin e tij në këtë komunë, këtë rezultat e ka parë si një triumf të madh.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Limaj ka festuar këtë përmbysje të rezultatit duke falënderuar qytetarët e kësaj zone për mbështetjen e dhënë: “FITORE! Faleminderit Malishevë”, ka shkruar ai.