Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një anëtari të komisionit zgjedhor në Prizren, për “Asgjësim të dokumenteve të votimit”.
I pandehuri A.D., dyshohet se në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, me qëllim të pengimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor dhe cenimit të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve, ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, të cilat paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i fletëvotimeve.
Rasti dyshohet se ka ndodhur në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit.
“Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve që cenojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, theksohet në njoftim.
