Kosovë Lajme

Associated Press për zgjedhjet në Kosovë: Rënia e pjesëmarrjes pasqyron zhgënjimin e votuesve

Pasi Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin në krye fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, mediat ndërkombëtare kanë përcjellë rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë dhe çfarë do të thotë rezultati për të ardhmen e vendit.

Vetëvendosja (LVV) fitoi rreth 43% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21,7% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 18%. Megjithatë, mbetet të shihet edhe totali nga votat e diasporës.

Agjencia e lajmeve Associated Press (AP) ka raportuar se edhe pas kësaj fitoreje, mbështetësit e Kurtit por edhe të votuesve në përgjithësi kanë rënë në numër, ndonëse nga dëshpërimi që ata ndjejnë nga ngërçi i përzgjatur politik.

“Kurti dhe partia e tij më herët kishin siguruar një shumicë të rehatshme prej më shumë se 50% të votave në një zgjedhje të parakohshme të mbajtur në dhjetor. E kombinuar me pjesëmarrjen më të ulët, rënia e mbështetjes duket se pasqyron zhgënjimin e votuesve me politikanët kryesorë që e kanë mbajtur këtë shtet të vogël ballkanik në një krizë të zgjatur”, shkruan AP.

Pjesëmarrja të dielën ishte 36,3%, ndërsa në dhjetor ishte pothuajse 45%.

Edhe POLITICO, gazeta digjitale e politikës, ka vënë në re humbjen “e konsiderueshme” të mbështetjes për Kurtin. Sipas gazetës digjitale, totali më i ulët sugjeron se Lëvizja Vetëvendosje do të duhet të bashkëpunojë me opozitën nëse synon të formojë një koalicion dhe të zgjedhë një president të ri.

“Diaspora mund t’i shtojë 2-3 mandate Lëvizjes Vetëvendosjes të Kurtit, që do të thotë se ai mund të marrë rreth 50 deputetë. Ai nuk mund të formojë qeveri me [partitë e mbetura të pakicave etnike], por asnjë president nuk mund të zgjidhet pa miratimin e tyre”, tha Besar Gërgi, ekspert i integrimeve evropiane në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.

Zgjedhjet e fundit të parakohshme në Kosovë erdhën si pasojë e krizës parlamentare, ku Kuvendi dështoi në zgjedhjen e një presidenti. Kurti refuzoi të mbështeste ish-presidenten Vjosa Osmani për këtë post dhe në vend të saj propozoi kandidatë nga partia tij, të cilët u bojkotuan nga opozita.

Në një intervistë për POLITCO, Osmani kishte akuzuar Kurtin se ka larguar aleatët evropianë dhe amerikanë, duke thënë se “e ardhmja e Kosovës nuk mund të mbahet peng nga egoja politike”.