Pamje të qytetarëve të cilët kanë protestuar të shtunën duke kundërshtuar projektin në Zvërnec kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, derisa disa prej tyre janë cilësuar si të dhunshme.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, është pezulluar të shtunën nga detyra e tij pas protestave të qytetarëve kundër projektit në Zvërnec.
Sipas njoftimit për shtyp nga Policia e Shtetit, arsyeja e pezullimit vjen si pasojë e raportimit të gabuar lidhur me një nga protestuesit, të cilit i janë shkaktuar dëmtime në trup nga punonjësit e shoqërisë private. Kështu, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar. Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast“, njofton Policia e Shtetit.
Në njoftimin u cilësua se protestuesi ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, gjë që u kundërshtua nga Policia e Shtetit.
“Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private. Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private. Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë. Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet. Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore“, njoftoi më herët Policia e Vlorës.
Gjithashtu, në reagimin e Policisë së Shtetit theksohet se territori i rrethuar është tërësisht pronë private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizim ligjor për rrethimin.
Të shtunën është mbajtur një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, duke paralajmëruar pasoja të mundshme mjedisore.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për tokën në Zvërnec, duke thënë se shteti nuk ka falur asgjë, sepse ajo tokë nuk i përket shtetit, por ka qenë private.
“Është një përpjekje që ne besojmë shumë se do ja dalim me sukses, duke e kthyer ne realitet. Duke e kthyer në realitet, do të thotë që disponojmë një produkt të prodhuar në vendin tonë, që është i eksportueshëm. Korporata Shqiptare e Investimeve është një realitet sot që flet qartësisht për epërsinë e kësaj qasje, në raport me atë të mëparshëm, që ishte e gurëzuar nga koha dhe mekanizmat e dobët që kishim në dispozicion. Korporata e Investimeve sot ka krijuar një portofol me një kapacitet mbi gjysmë miliard euro që do të shkojnë në interes të shtetit shqiptar, duke mos bërë asgjë tjetër veç pronave publike, duke i vendosur edhe për interesat e shtetit. Jo vetëm kurdo dhe kudo dhënie të pronës publike në emër të zhvillimit, diçka që është bërë në të shkuarën dhe me të drejtë se s’ka pasur mundësi të tjera. Po dalin disa lajme me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, dem baba dem. Investitorët e përfshirë në atë biznes, janë investitorë seriozë që atë pronë e kanë marrë nga privatët. Shteti ka pasur në anën tjetër të projektit, ku është ishulli i Sazanit, ku ende nuk kanë mbaruar negociatat, pasi Korporata e Investimeve është pjesë e projektit. Edhe toka e ishullit do të jetë e shtetit shqiptar”, tha Rama.
