Lajme Tech & Inovacion

Ku është nxehtësia më e lartë, në bërthamën e Tokës, apo mbi sipërfaqen e Diellit?

Kur Toka u formua rreth 4.5 miliardë vite më parë, ajo ishte një masë e shkrirë shkëmbi. Me kalimin e kohës, elementët më të rëndë si hekuri dhe nikeli u zhytën drejt qendrës, duke formuar bërthamën.

Sot, bërthama e Tokës është një sferë jashtëzakonisht e nxehtë dhe e dendur. Ajo përbëhet nga një bërthamë e jashtme e lëngshme dhe një bërthamë e brendshme e ngurtë. Bërthama e jashtme fillon rreth 2900 km nën sipërfaqe, ndërsa ajo e brendshme fillon rreth 5150 km thellësi.

Temperatura e bërthamës arrin nga rreth 5000 deri në mbi 5500 gradë Celsius, pothuajse sa temperatura e sipërfaqes së Dielli. Pjesa më e nxehtë besohet të jetë kufiri midis bërthamës së jashtme dhe asaj të brendshme.

Kjo temperaturë nuk është matur drejtpërdrejt, pasi është e pamundur të shkohet aq thellë. Në vend të kësaj, shkencëtarët e kanë llogaritur duke përdorur eksperimente laboratorike dhe duke analizuar përbërjen e Tokës. Ata studiojnë sjelljen e hekurit nën presione ekstreme dhe mënyrën se si valët sizmike përhapen në brendësi të planetit.

Image

Bërthama përbëhet kryesisht nga hekuri (rreth 85%), i përzier me nikel dhe elementë të tjerë. Në bërthamën e jashtme ky material është i lëngshëm, ndërsa në atë të brendshme është i ngurtë, për shkak të presionit shumë të lartë që rrit pikën e shkrirjes së hekurit.

Shkencëtarët simulojnë këto kushte duke përdorur pajisje speciale si “qeliza me diamante” dhe lazer për të arritur temperatura dhe presione ekstreme. Nga këto eksperimente vijnë vlerësimet aktuale.

Nxehtësia e bërthamës vjen nga formimi i planetit, përplasjet e hershme dhe ndoshta nga elementë radioaktivë. Kjo nxehtësi është thelbësore për jetën, sepse ndihmon në krijimin e fushës magnetike dhe në lëvizjen e pllakave tektonike, që formojnë sipërfaqen e Tokës dhe mbështesin ekosistemet. / Live Science – Syri.net  0