Telefonat inteligjentë gjatë një stuhie mund të shpërthejnë dhe të shkaktojnë lëndime, por jo për shkak të një goditjeje të drejtpërdrejtë nga rrufeja, por për shkak të procesit të induksionit të shkaktuar nga një fushë e fortë elektrostatike, tha bashkëpunëtorja kryesore e Qendrës Hidrometeorologjike të Rusisë, Marina Makarova.
Makarova i shpjegoi agjencisë TASS se nën ndikimin e fushës së fortë elektrostatike të reve të bubullimës, krijohen ngarkesa elektrike në përçuesit në tokë, të cilat mund të çojnë në ngrohjen e pajisjes.
“Ndodhin shpërthime të papritura, gjatë të cilave një person që mban një telefon inteligjent pranë kokës ose në xhep mund të lëndohet. Nuk është një goditje e drejtpërdrejtë rrufeje, por një proces induksioni. Pra, nuk është se telefoni tërhiqet nga rrufeja, por pajisja nxehet nën ndikimin e këtyre rrymave”, tha Makarova.
Ajo theksoi se raste të tilla ndodhin shumë rrallë.
Sipas saj, vizitorët në ngjarje masive, siç janë ndeshjet e futbollit, kanë shumë më tepër gjasa të vdesin gjatë një stuhie.
“Rrufeja mund të godasë një masë njerëzish të lagur nga shiu, të cilët më pas bëhen përçues të mirë të energjisë elektrike”, paralajmëroi Makarova.
