Gati një muaj pasi pasagjeri i parë humbi jetën në bordin e anijes turistike “MV Hondius”, ajo ka mbërritur më në fund në Tenerife, në Ishujt Kanarie të Spanjës, mes masave të jashtëzakonshme të sigurisë dhe frikës për përhapjen e një virusi të rrallë.
Autoritetet spanjolle kanë organizuar një operacion të paprecedentë për të pritur anijen në portin Granadilla dhe për të evakuuar mbi 100 persona që ndodheshin në bord. Edhe pse anija mbërriti pranë portit para agimit, asaj nuk iu lejua menjëherë ankorimi, pasi rreth saj u vendos një perimetër sigurie prej një milje detare.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Spanjë, operacioni për të parandaluar përhapjen e variantit të rrallë “Andes” të hantavirusit është ndër më kompleksët e zhvilluar ndonjëherë në vend. Në operacion janë përfshirë 23 shtete dhe janë marrë masa ekstreme sigurie për të shmangur çdo rrezik për popullatën lokale.
Ministrja e Shëndetësisë, Mónica García, deklaroi se “rreziku i infektimit për popullsinë është i ulët”, duke kritikuar alarmizmin dhe dezinformatat që po qarkullojnë lidhur me rastin.
Në portin industrial në jug të Tenerife-s janë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë. Policia ushtarake dhe ekipet e emergjencave kanë ngritur tenda pritjeje, ndërsa hyrja në zonë është kufizuar.
Pas ankorimit të anijes, ekipet mjekësore pritej të hipnin në bord për të kontrolluar të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin për simptoma të virusit. Sipas raportimeve të fundit, nuk ka raste të reja me simptoma.
Pasagjerët do të ndahen sipas shtetësive dhe do të transportohen me varka të vogla drejt bregut, ku avionë çarter janë bërë gati për t’i kthyer në vendet e tyre.
Ndërkohë, avionë të pajisur për emergjenca mjekësore janë në gatishmëri në rast se ndonjë person duhet të dërgohet në izolim. Shtetasit spanjollë do të transferohen në Madrid, ku do të përballen me karantinë të detyrueshme në spitalin ushtarak “Gomez Ulla”.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ndodhet në Tenerife për të mbikëqyrur operacionin, lavdëroi autoritetet spanjolle për “reagimin solid dhe efektiv” ndaj shpërthimit.
Virusi besohet të jetë lidhur me një zonë mbeturinash në jug të Argjentinës, ku bartet nga brejtësit. Edhe pse rrallë transmetohet mes njerëzve, deri tani tre pasagjerë të anijes kanë humbur jetën.
Rasti ka shkaktuar tension dhe protesta në Tenerife, ku disa banorë dhe punonjës portualë kanë shprehur frikë për sigurinë e ishullit. Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, madje paralajmëroi se një mi i infektuar mund të dilte nga anija dhe të rrezikonte banorët, deklaratë që u hodh poshtë nga autoritetet shëndetësore.
Megjithatë, qytetarët duket se po qetësohen gradualisht. “Virusi është i rrezikshëm, por thonë se duhet kontakt shumë i afërt për t’u infektuar”, tha një banore e Tenerife-s.
Ndërsa shumica e pasagjerëve do të largohen nga anija, rreth 30 anëtarë të ekuipazhit do të mbeten në bord për ta kthyer “MV Hondius” në Holandë. Për pasagjerët, pas javësh frike dhe pasigurie në det, fundi i kësaj odiseje duket më në fund pranë — megjithëse i pret një karantinë e gjatë.
