Kosovë Kronikë Policore Lajme

Raporti i IPK-së nxjerr mangësi në trajtimin e rasteve të trafikimit me narkotikë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në një raport inspektimi për vlerësimin e trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë në Njësinë e Hetimit të Narkotikëve në Prishtinë, ka evidentuar një sërë mangësish dhe shkeljesh procedurale në mënyrën se si janë trajtuar këto raste nga Policia e Kosovës, raporton Periskopi.

Sipas raportit, në disa raste mungojnë raportet njoftuese për Prokurorin e Shtetit, ndonëse ato janë obligim ligjor sipas Kodit të Procedurës Penale. Po ashtu, hetuesit në disa dosje nuk kanë përpiluar plane hetimore, të cilat kërkohen me procedurat standarde të operimit dhe shërbejnë si bazë për organizimin e veprimeve hetimore.

Kontrolli i dosjeve ka nxjerrë në pah edhe mungesë të dokumenteve të rëndësishme, përfshirë listat e evidencës së dëshmive, kërkesat për ekzaminim dhe raportet përkatëse. Në disa raste mungojnë edhe rezultatet e testimeve fushore, ndërsa raporti thekson se nuk janë ndërmarrë gjithmonë veprime të mjaftueshme për zbatimin e plotë të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

IPK ka evidentuar gjithashtu raste kur nuk janë bashkangjitur urdhra retroaktivë për kontrollet e kryera, si dhe raste të mosrespektimit të plotë të zinxhirit hierarkik gjatë procedimit të kallëzimeve penale. Sipas raportit, këto mangësi tregojnë nevojën për forcim të kontrollit të brendshëm dhe zbatim më rigoroz të procedurave ekzistuese.

Një tjetër çështje që ngrihet në raport lidhet me sigurinë e informacionit. Sipas gjetjeve, vetëm rreth 50 për qind e personelit posedon certifikatë sigurie, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në proces verifikimi. IPK e konsideron këtë një pikë të ndjeshme, duke pasur parasysh natyrën e hetimeve që trajton kjo njësi.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa aspekte pozitive në funksionimin e njësisë. Në aspektin organizativ dhe të burimeve njerëzore, thuhet se njësia funksionon sipas strukturës organizative dhe ka nivel të kënaqshëm të stafit. Gjithashtu, është vlerësuar pozitivisht fakti që hetuesit kanë ndjekur trajnime të shumta të specializuara, çka konsiderohet se ndikon në ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Sa i përket trajtimit të provave, raporti paraqet një pasqyrë më të mirë. Sipas IPK-së, numri i artikujve përputhet me regjistrat dhe zinxhirin e ruajtjes, ndërsa provat ruhen në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet.

Në raport thuhet gjithashtu se kohëzgjatja e hetimeve dhe procedimit të rasteve në Prokurorinë e Shtetit konsiderohet përgjithësisht e arsyeshme. Po ashtu, është vërejtur ulje e numrit të rasteve të bartura nga vitet paraprake, çka sipas raportit tregon një efikasitet më të madh në trajtimin e tyre.

Megjithatë, IPK ka evidentuar edhe mungesë të informatave kthyese lidhur me trajtimin e raporteve inteligjente, duke e konsideruar këtë një tjetër dobësi në proces.

Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë disa rekomandime për përmirësimin e punës së njësisë. Ndër to përfshihet vendosja e mekanizmave më të fortë të kontrollit të brendshëm, në mënyrë që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara pa certifikatë valide sigurie.

Po ashtu, rekomandohet raportim më i rregullt ndaj Prokurorit të Shtetit përmes raporteve njoftuese, përpilim i detyrueshëm i planeve hetimore për çdo rast, si dhe zbatim më i plotë i masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit në përputhje me dispozitat ligjore.