Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” ka publikuar një kërcënim me eliminim fizik të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Në mesazhin e publikuar nga kjo organizatë, thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
Pas kësaj ka reaguar Policia e Kosovës duke thënë se menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut” (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste)“
Bazuar në të dhënat e siguruara, sipas policisë postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë.
“Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit. Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, njoftoj policia
