Kosovë Lajme Politikë

Nënkryetarja u emërua, këta do të jenë 6 drejtorët e PDK-së në Komunën e Prishtinës

Partia Demokratike e Kosovës i është bashkuar qeverisjes me Përparim Ramën në Prishtinë, në një marrëveshje koalicioni për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës tha se “nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar” të kësaj partie.

Nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati u emërua nënkryetare e Komunës së Prishtinës, ndërsa Express merr vesh se PDK-ja do t’i udhëheqë edhe gjashtë drejtori.

Leutrim Retkoceri do ta udhëheqë Drejtorinë për Shërbime Publike.

Arianit Elshani do të jetë drejtori i ri i Drejtorisë për Arsim.

Drejtorinë për Transformim do ta udhëheqë Nora Gagica.

Drejtoria për Sport i është besuar Granit Gecit.

Isah Mustafa do ta udhëheqë Drejtorinë për Kulturë.

Drejtoria për Parqe do të udhëhiqet nga Albana Gjonbalaj.

PDK-ja është marrë vesh me Përparim Ramën edhe për ndarjen e ndërmarrjeve.

KRU Pastrimin, Ndërmarrjen Publike Banesore dhe Trafikun Urban do t’i udhëheqë PDK-ja. Ndërmarrja e katërt që do t’i takojë PDK-së do të përcaktohet ndërmjet Prishtina Parking ose Pallatin e Rinisë.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, tha mbrëmë në T7 se është arritur marrëveshja për koalicion me Ramën.

LDK-ja tha sot në një reagim se “nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje”, duke u distancuar nga koalicioni.

“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, u tha ndër tjerash në një komunikatë të lëshuar nga kjo parti sot paradite.