Botë Lajme

Të shtënat më armë në darkën e Trump, incidenti ndodhi në të njëjtin vend ku u tentua vrasja e Ronald Reagan

Incidenti me të shtëna armësh ka ndodhur në hotelin Washington Hilton në Connecticut Avenue, i njëjti hotel ku Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos në vitin 1981.

Atentati ndodhi më 30 mars 1981, kur autori, John Hinckley Jr., qëlloi ndaj Reagan ndërsa ai po kthehej drejt limuzinës së tij pas një fjalimi brenda hotelit.

Reagan mbijetoi, por u plagos rëndë nga një plumb që u përplas në anën e limuzinës presidenciale dhe e goditi në trup, duke i thyer një brinjë dhe duke i shpuar njërin mushkëri. Ai u transportua me urgjencë në spitalin George Washington University Hospital dhe u lirua më 11 prill.

Zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, James Brady, u plagos gjithashtu në të njëjtin incident, ashtu si edhe një agjent i Shërbimit Sekret dhe një oficer i policisë metropolitane.

Brady pësoi dëmtime në tru gjatë sulmit dhe mbeti i paaftë për pjesën tjetër të jetës. Problemet shëndetësore që pasuan nga plagët e shoqëruan deri në fund dhe kontribuuan në vdekjen e tij në vitin 2014.

Një vit më pas, Hinckley u shpall i pafajshëm për shkak të çrregullimit mendor, por u vendos në një repart të sigurisë së lartë në spitalin St Elizabeth’s Hospital deri sa u lirua në vitin 2016.

Një pllakë përkujtimore ende shënon vendin e të shtënave në anën e hotelit.

Si  ndodhi sulm i armatosur në darkën e gazetarëve të Shtëpisë e Bardhë me Trump?

Një sulm i armatosur ndodhi gjatë darkës së gazetarëve në Washington, ndërsa në sallë ndodhej edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Një person i armatosur tentoi të depërtonte në ambientet e darkës së përvitshme të gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, duke qëlluar me armë dhe plagosur një efektiv, përpara se të neutralizohej dhe arrestohej.

Ngjarja ndodhi në momentin kur ceremonia sapo kishte nisur. Sipas dëshmive, një lëvizje e pazakontë pranë hyrjeve të sallës u shoqërua me të shtëna dhe thirrje alarmi, duke detyruar të pranishmit të hidhen në tokë dhe të kërkojnë mbrojtje nën tavolina.

Presidenti dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, që ndodheshin në tavolinën kryesore, u larguan menjëherë nga agjentët e Secret Service, të cilët ndërhynë me shpejtësi dhe në mënyrë të koordinuar. Brenda pak çastesh, salla u mbush me forca sigurie të armatosura rëndë, ndërsa të ftuarit u urdhëruan të evakuohen.

Zona përreth u izolua nga policia, ndërsa helikopterë monitoronin situatën nga ajri. Eventi organizohet çdo vit nga “White House Correspondents’ Association” dhe mbledh figura të rëndësishme nga politika, media dhe jeta publike amerikane.

Autori i dyshuar është Cole Allen, 31 vjeç, i cili u ndalua nga autoritetet. Ai kishte hyrë i armatosur me qëllim sulmin ndaj zyrtarëve. Ai konsiderohet një veprues i vetëm, ndërsa motivet e plota janë ende nën hetim.

Sakaq, nga të shtënat u plagos një person nga forcat e rendit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Rreth dy orë pas incidentit, Trump reagoi nga Shtëpia e Bardhë, duke e cilësuar sulmin si një akt të rrezikshëm që synon të godasë institucionet demokratike. Ai theksoi se ngjarja nuk do të ndikojë në vendimmarrjet e tij politike, përfshirë edhe qëndrimin ndaj Iran.