Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 prillit, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ku persona të panjohur kanë shtënë në drejtim të një autosalloni.
Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20 deri në 00:25, kur të dyshuarit, të veshur me rroba të zeza dhe me helmeta në kokë, duke lëvizur me një motoçikletë, kanë hapur zjarr ndaj objektit. Si pasojë e të shtënave, janë dëmtuar rreth gjashtë vetura si dhe katër xhama të autosallonit.
Insajderi mëson se bëhet fjalë për autosallonin “Alberti”.
Pamje ku shihet momenti kur policia ka rrethuar zonën pas sulmit.
Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar 16 gëzhoja, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në hetime. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa vlera e dëmeve materiale ende nuk është përcaktuar.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë sulm.
