Kosovë Lajme

Shkoi ta vizitojë nënën e sëmurë në QKUK, përfundon si pacient nga kafshimi i qenve endacakë

Një person është sulmuar nga qentë endacakë  në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, duke marrë lëndime në këmbë.

Sipas deklaratës së tij, të cilën e ka dorëzuar edhe në Polici, ai kishte shkuar në QKUK për ta vizituar nënën e tij.

Personi me inicialet N.B. ka deklaruar se u sulmua nga një tufë prej rreth 20 qensh endacakë, nga  të cilët u kafshua në këmbën e majtë

“Më 15 prill 2026, rreth orës 08:10–08:15, ditë e mërkurë, kisha shkuar në QKUK për ta vizituar nënën time në repartin e Neurologjisë. Hyra në oborr nga pjesa e pasme, pranë objektit të Neurologjisë. Papritmas u sulmova nga një tufë prej rreth 20 qensh endacakë. Ishte një moment i tmerrshëm, plot frikë dhe s’di as si reagova, në vend që të hyja për vizitë te nëna, përfundova vetë duke kërkuar ndihmë mjekësore. Nga ky sulm kam pësuar plagë në këmbën e majtë. Edhe pse shpëtova pa pasoja më të rënda, rreziku ka qenë real dhe i madh”, ka thënë ai.

Tutje ka deklaruar se ka përfunduar vetë duke marrë trajtim mjekësor, ndërkaq e ka quajtur të papranueshme pasigurinë në oborrin e QKUK-së.

“Është e papranueshme që një qytetar të shkojë në spital për të parë një familjar dhe të përfundojë vetë si pacient për shkak të mungesës së sigurisë në oborrin e vet spitalit”, ka thënë ai.

Koha ka kontaktuar me Policinë lidhur me rastin por ende nuk ka marrë përgjigje.

No description available.