Kosovë Lajme

Berisha fton qytetarët e komunitetit egjiptian t’i bashkohen “Marshit për Liri”

Deputeti Veton Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, ka dalë në përkrahje të Marshit për Liri.

Berisha i ka ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, veçanërisht ata të komunitetin egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi për të shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.

“Në mbështetje të Marshit për Liri! Sot takova Elizën dhe Ridvanin, dy nga organizatorët e Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.”, ka shkruar Berisha.

Ai ka thënë se ky marsh organizohet në mbështetje të lirimit të plotë nga Gjykata Speciale në Hagë të katër çlirimtarëve të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

“Vendimi i Gjykatës pritet të jepet më 16 shtator. Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë. Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët!”, ka shkruar Berisha.