Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Ajo që bie në sy në formularin e tij është shuma e konsiderueshme e parave të gatshme të mbajtura në institucione financiare dhe si kursime familjare.
Sipas dokumentit të publikuar, Manxhuka ka deklaruar tri kategori të parave të gatshme, ku dominojnë kursimet e prindërve: 57 mijë euro para të gatshme (Cash) të deklaruara në pronësi të prindërve, me prejardhje nga kursimet jetësore të familjes.

Pastaj, 4 mijë e 127 euro para të gatshme në Raiffeisen Bank Kosovo, në pronësi të vetë deklaruesit (prejardhja nga paga), si dhe 4 mijë euro para të gatshme në OTP Banka në Slloveni, në pronësi të prindërve (prejardhja nga paga), shkruan Insajderi, trnansmeton Periskopi
Manxhuka ka deklaruar një listë të pasurive të paluajtshme, të gjitha në pronësi të familjes, vlera e të cilave arrin në qindra mijëra euro: Lokal 130 m2, vlera 200 mijë euro, shtëpi 106 m2: vlera 100 mijë euro (Ndërtuar nga ndarja familjare).
Arë, 15 ari vlera 52 mijë e 500 euro si dhe një arë tjetër në vlerë për 50 mijë eurove.
Sa i përket pasurisë së luajtshme, është deklaruar një veturë Renault e vitit 2018, në vlerë prej 15 mijë euro po ashtu në pronësi të prindërve.
Ndërkohë, ai ka deklaruar të ardhurat e tij nga dy burime kryesore gjatë vitit: 11 mijë euro nga partia Vetëvendosje dhe 2 mijë e 650 euro nga Thesari i Shtetit.
Ndërsa prindërit përfitojnë 16 mijë e 800 euro nga një biznes familjar jashtë vendit (Slloveni).
Manxhuka ka deklaruar edhe një detyrim financiar (kredi) në OTP Banka në emër të prindërve.
Shuma totale e kredisë është 50 mijë euro, ndërsa vlera e mbetur (aktuale) për t’u paguar është 33 mijë e 100 euro.
