Kanë mbetur hiç më pak se 11 ditë kohë që vendi të zgjedh presidentin e ri. Mirëpo, Kryeministrit të Kosovës njëherësh edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtit, nuk po i bëhet “vonë”. Kurti i shoqëruar nga nënkryetarja e VV’së, Mrika Limani Myrtaj dhe zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Anila Vrajolli, kanë vendosur që për dy ditë të marrin pjesë në Global Progressive Mobilisation (GPM), i cilit mbahet në Spanjë më saktësisht në qytetin e Barcelonës.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Sot dhe nesër po marrim pjesë në Global Progressive Mobilisation (GPM), Barcelona 2026, së bashku me nënkryetaren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani Myrtaj dhe zyrtaren për marrëdhënie ndërkombëtare, Anila Vrajolli. GPM është konferenca e parë e llojit të saj, ku janë bashkuar në diskutime partitë politike, organizatat shoqërore dhe aktivistët progresistë nga mbarë bota. Ditën e nisëm me mbledhjen e kryesisë së Party of European Socialist (PES), në të cilën iu drejtova të pranishmëve, ku përveç tjerash thashë: Para së gjithash, më lejoni t’i përgëzoj organizatorët për organizimin e këtij samiti. Ky është vërtet një arritje e rëndësishme e së Majtës evropiane. Për herë të parë, tri organizata të ndryshme të majta, përkatësisht Aleanca Progresive, Internacionalja Socialiste dhe Partia e Socialistëve Evropianë, po bashkohen nën ombrellën e “Mobilizimit Global Progresiv” (GPM)”, ka shkruar ai.
Kurti tha se mbajti një fjalim në mbledhjen e kryesisë së Party of European Socialist (PES) ku foli për “prapakthim demokratik” dhe “dy krizat ekzistenciale” me të cilat po përballet bota.
“Historia e së Majtës është e njohur për përçarjet e brendshme.Por, siç jam i bindur se do të pajtoheni, kjo nuk është kohë për sektarizëm të vogël. Debati i fuqishëm brenda radhëve tona është gjithmonë i mirëseardhur, por qëllimi përfundimtar duhet të jetë gjetja e një terreni të përbashkët ndërmjet aktivistëve dhe organizatave të majta. Në një kohë sfidash serioze globale, siç janë prapakthimi demokratik, lufta dhe kërcënimi i afërt që paraqesin dy krizat ekzistenciale të kohës sonë, katastrofa ekologjike dhe rreziku i luftës bërthamore, është detyrë morale e së Majtës të gjejë mënyra për veprim të koordinuar përtej kufijve kombëtarë”, ka shkruar ai.
