Kosovë Kronikë Policore Lajme

Vdes akademiku dhe ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci

Ka vdekur në moshën 81 vjeçare akademiku dhe ish kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci.

Lajmin për vdekjen e Dacit e bëri të ditur ish-kryeparlamentari, Dimal Basha.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, shkroi Basha ndër të tjera.

Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.

Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj. Veçohen punimet shkencore mbi strukturën e substancës organike të qymyrit të Kosovës, pastaj të përbërësve inorganikë të qymyrit, të analizave të ndryshme të hirit nga termocentralet dhe punime shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, veçmas të ujërave të liqeneve akumuluese dhe të disa lumenjve të Kosovës.

Ishte bartës ose pjesëmarrës në shumë projekte shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Udhëhoqi projektin shkencor të ASHAK-ut “Identifikimi i ndotësve të efluentëve të ujërave urbane dhe të industrisë dhe trajtimi i tyre” (2012–2014) dhe projektin për kadastrin e këtyre ndotësve e trajtimin e tyre.

Është autor i teksteve universitare dhe monografive (“Kimia organike”, “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”), si dhe bashkautor i një studimi në botimin “Kimia për mbrojtjen e mjedisit” (Elsevier, Amsterdam, Nju-Jork, Oksford, 1987).