Kosovë Lajme

Rifillon verifikimi i votave në Mitrovicë, KQZ: Po zhvillohet në 10 tavolina numërimi

Ka rifilluar procesi i verifikimit të fletëvotimeve në Mitrovicë, ani pse jo në orën që ishte urdhëruar nga Prokuroria.

Zyrtari ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Bajram Hajdari ka thënë se procesi i numërimit ka rifilluar në ora 16:20.

“Po ka rifilluar numërimi nga ora 16:20”, tha shkurt ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka thënë për Reporteri.net se procesi po zhvillohet në 10 tavolina numërimi.

“Në orën 16:20 ka filluar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës e Jugut. Procesi po zhvillohet në 10 tavolina numërimi”, ka thënë ai.

Gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se dy policë do të jenë prezent në qendrën e numërimit, gjatë gjithë kohës së procesit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë qysh mbrëmë urdhëroi që përkohësisht të ndërpritej procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës pas pretendimeve për manipulim me fletëvotime.