Kosovë Lajme

Nga VV i dalin në mbrojtje Rozeta Hajdarit: Aktakuza e motivuar politikisht, s’është e korruptuar

Nga Lëvizja Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojtje Ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, ndaj të cilës sot Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Ish-Ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e VV’së, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si të motivuar politikisht aktakuzën ndaj Hajdarit.

Haxhiu ka thënë se është e njoftuar me këtë rast në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik.

“Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik. Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se Hajdari ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore.

“Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike”, ka shkruar Haxhiu, teksa ka shpërndarë postimin e Hajdarit, ku ajo njoftoi se i është ngritur aktakuza.

Aktakuza është ngritur ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim.

Pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari ka thënë se ndihet krenare për punën në ministri.

“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022″, ka shkruar ajo