Kosovë Lajme

“Akademiku” i paakademi – Bahtiri shpall bashkimin kombëtar nga foltorja e koalicionit

 

 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agim Bahtiri, ia mësyu të apelojë tek atdhedashuria e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si shtojcë e ofertës në letrën e lideri të VV, Albin Kurti, transmeton Gazeta dhe Agjencia e Lajmeve KFVA.


Bahtiri që s’njihet edhe aq për oratorinë e tij ia plotësoi ofertën me retorikë të zbutur e përafruese gjuhës thumbuese të letrës së shefit për LDK, sikur të kishin marrë parasysh kritikat në publik tashmë për atë.

“Republika e Kosovës nuk ka luksin të rrotullohet në një cikël pafund zgjedhjesh. Ne kemi procese të papërfunduara, na presin negociatat me Serbinë, sfida jetike përpara dhe një moment historik që kërkon lidership dhe bashkëpunim. Një marrëveshje e mundshme LVV–LDK nuk është kompromis i dobësisë, por një marrëveshje e mençurisë — një akt përgjegjësie për të ndërtuar institucione të forta dhe për t’i dhënë fund ngërçit politik.”

Në shkrimin në llogarinë e Bahtirit theksohet edhe se interesat duhet lënë anash që nënkupton se edhe oferta na qenka reciproke në zemërgjerësi.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet vendosur interesin e qytetarit mbi çdo interes partiak. Sepse pa unitet politik, nuk ka pavarësi reale. Sepse pa stabilitet, nuk ka zhvillim.

Populli ka folur me votë, tash duhet të flasë udhëheqësia me guxim. Sepse nuk mund të lejojmë që të ardhmen ta mbajë peng e kaluara. Kosova nuk është pronë e askujt, por amanet i gjeneratave që sakrifikuan dhe i atyre që do të vijnë.”

Lidhja Demokratike të Kosovës ende nuk ka reaguar zyrtarisht, me zyrtarë që nuk e kanë prerë direkt, pavarësisht se sinjalet fillestare, siç ishte e vetë kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku, ishte negative kur tha se dihet tashmë qëndrimi i  tyre./KFVA/