Njëtë ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërine Kosovës, që Osmani të organizojë një takim të tillë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehur gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, kabineti i presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, tha Kupina në një deklaratë dërguar mediave.
Kujtojmë se më 15 prill ka nisur seanca konstituive, ku edhe pas 14 herave të tjera, deputetët kanë dështuar që ta konstituojnë.
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nisma e tyre për t’iu drejtuar Kushtetueses është mbështetur nga deputetë të LDK’së dhe PDK’së.
“Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore. Dëmet nga bllokada që po i bëhët konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese. Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç. Natyrisht deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt!”, ka shkruar Haradinaj.
Në vazhdimet e fundit të seancës konstituive VV ka tentuar që ta ndërrojë formën e votimit të kryeparlamentarit nga i hapur në të fshehtë, mirëpo nuk ka gjetur pajtueshmëri nga opozita.
Partitë opozitare kanë refuzuar të propozojnë anëtarë për komisionin që do ta mbikëqyrte votimin e fshehtë.
Krejt në fund, mbetet të shihet nëse Presidentja e vendit do t’i ftoj partitë politike për një takim gjithëpërfshirës për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga ky ngërç politik.
