Kosovë Kronikë Policore Lajme

GoFundMe për rastin e dyshuar për mashtrim: Kemi rimbursuar të gjithë donatorët!

Platforma për mbledhjen e fondeve, GoFundMe ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga një shtetas i Kosovës, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë shtirej se ishte i sëmurë me leukemi akute.

E.A. ditë më parë u arrestua nën dyshime për veprën penale të mashtrimit dhe më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji. Sipas autoritetet në Kosovë, përmes GoFundMe, ai mblodhi 162.522 euro.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, GoFundMe tha se ka zero tolerancë për keqpërdorimin e kësaj platforme nga persona që tentojnë të keqpërdorin bujarinë e të tjerëve.

“Ekipi ynë identifikoi keqinterpretimin e fakteve, që bien ndesh me rregullat tona. Si rezultat i kësaj, fushata për mbledhjen e parave është mbyllur dhe të gjithë dhuruesit janë rimbursuar. Asnjë para nuk ka shkuar te organizatori”, tha GoFundMe.

Në ueb-faqen e platformës thuhet se ajo garanton mbrojtjen e të gjitha donacioneve dhe në rast se shohin se diçka nuk është në rregull, kthen të gjitha paratë te dhuruesit.

Paratë e mbledhura, sipas platformës, mbrohen për një vit nga momenti i dhurimit të tyre.

Platforma thotë se rastet e mashtrimit janë të rralla. Por, ekipet e saj të ekspertëve monitorojnë për çdo keqpërdorim apo abuzim të rasteve që raportohen, duke u mundësuar njerëzve që nëse kanë dyshime, t’i raportojnë ato.