Kosovë Lajme Shëndetësi

QKUK paralajmëron rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e saj: Hapësirat po u kthehen qytetarëve!

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka paralajmëruar rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e saj, duke thënë se prej vitesh janë të uzurpuara, ndërsa tash “po u kthehen qytetarëve”.

QKUK tha s ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit dhe se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara dhe rrënimin e objekteve pa leje.

“Komisioni i posaçëm i QKUK-së, i formuar në mars të këtij viti, ka verifikuar gjendjen pronësore në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale. Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private. QKUK-ja u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave, duke u kërkuar të dëshmojnë bazën ligjore për shfrytëzimin e këtyre hapësirave. Asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi. Ndër dokumentet e dorëzuara ka pasur kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër”.

QKUK tha se vendosmëria e saj është mbështetur edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), për të cilin tha se gjatë inspektimeve të ditëve të fundit “i ka vërtetuar konstatatimet e lartcekura”.

“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”.