Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë fundjavës në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell dhe reshje të dobëta shiu në disa zona.
Sipas parashikimit, të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 13 deri në 16 gradë.
Ndërkaq, të dielën temperaturat minimale pritet të jenë nga 1 deri në 4 gradë Celsius, kurse ato maksimale nga 10 deri në 14 gradë.
Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
IHMK ka bërë të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme deri mesatarisht të favorshme për shumicën e popullatës.
Megjithatë, për shkak të ndryshimeve të temperaturave ndërmjet mëngjesit dhe mesditës, rekomandohet veshje adekuate, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.
