Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë një adresim publik lidhur me situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se partia e tij do të mbetet në opozitë.
Megjithatë, Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja është e gatshme të hyjë në bisedime për zgjedhjen e një presidenti jopartiak, i cili, sipas tij, do të mbronte interesat e Republikës së Kosovës.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja nuk kërkon asgjë në këmbim të gatishmërisë për të diskutuar për presidentin.
Abdixhiku gjithashtu tha se nuk ka më arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe nisja e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit.
“Nga ky moment askush nuk ka arsye dhe të drejtë që të vonojë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe nisjen e bisedimeve për presidentin”, u shpreh ai.
