Blerim Igrishta, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka marrë të premten njërin prej vendimeve më absurde që mund ta ketë dëgjuar ndokush. Sidomos, në botën demokratike ku të drejtat e njeriut mbrohen me ligj, e në vende ku funksion rendi juridik.
Një 59-vjeçar nga Hajvalia mbrëmjen e së premtes e kaloi në Qendrën e Paraburgimit. Krejt kjo me urdhër të prokurorit Igrishta.
Hashim Miftari u ndalua nga Policia dhe u la për 48 orë në burg vetëm për shkak se ai nuk arriti që ta kontrollonte lopën e tij.
Siç ka raportuar Sinjali, një lopë e Miftarit ishte larguar nga tufa dhe ishte futur në oborrin e Gjykatës në Graçanicë. Ngjarja kishte ndodhur të premten, rreth orës 16:00.
Policia kishte marrë dëshmitë e dëshmitarë, si dhe të dyshuarit, ndërkaq prokurori Blerim Igrishta kishte vendosur për ndalimin e tij për 48 orë, mëson Paparaci.
Miftari kishte deklaruar se lopa i kishte humbur dhe se kjo ishte hera e parë që ajo kishte hyrë në oborrin e Gjykatës, megjithatë pretendimi i tij nuk u mor parasysh.
Prokurori Igrishta ka hapur rast ndaj tij për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas nenit 321 të Kodit Penal.
