Kryeqyteti ka miratuar themelimin e ndërmarrjes së re komunale të pastrimit, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka dhënë vlerësim negativ për këtë vendim, duke penguar, sipas tij, një zgjidhje të rëndësishme për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.
Kryetari Rama ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke theksuar se komunat e Obiliqit dhe Fushë Kosovës kanë themeluar ndërmarrje të ngjashme, ndërsa një iniciativë e tillë po i pamundësohet Kryeqytetit.
“E krijuam kompaninë e re komunale të pastrimit, ashtu siç kanë vepruar edhe Obiliqi e Fushë Kosova. Por Prishtinën e bllokuan. MAPL-ja e ka kthyer vlerësimin negativ!”, deklaroi Rama.
Kryetari rikujtoi se kjo nuk është pengesa e vetme nga niveli qendror. Sipas tij, edhe marrëveshja me KfW-në, në vlerë prej rreth 72 milionë eurosh, për sigurimin e 100 kamionëve shtesë dhe mijëra kontejnerëve, ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ai theksoi se këto projekte do të mundësonin përmirësimin afatgjatë të menaxhimit të mbeturinave, ndërsa pasojat e bllokimit të tyre po i bartin drejtpërdrejt qytetarët.
“Përderisa Qeveria na bllokon vazhdimisht, çmimin po e paguajnë qytetarët e Prishtinës!”, u shpreh Rama.
Përballë kësaj situate, Kryeqyteti ka ndërmarrë masa alternative, duke angazhuar operatorë privatë, me mbështetjen e UNDP-së, për t’i dalë në ndihmë ndërmarrjes “Pastrimi” në grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë dalë sot në terren për të përcjellë nga afër angazhimin e operatorëve privatë, të cilët tashmë kanë filluar pastrimin e qytetit.
“Kemi ndërmarrë masa alternative dhe shtesë që, përmes sektorit privat dhe me ndihmën e UNDP-së, të vazhdojmë pastrimin e Kryeqytetit. Për fat të keq, kemi një Qeveri e cila vazhdimisht bllokon projektet tona”, deklaroi Rama.
Ai bëri të ditur se Kryeqyteti ka ndarë buxhet shtesë për angazhimin e operatorëve privatë, ndërsa kapacitetet e shtuara të kamionëve pritet të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes me mbeturinat gjatë ditëve në vijim.
Kryetari Rama theksoi se, pavarësisht pengesave nga niveli qendror, Kryeqyteti do të vazhdojë të gjejë zgjidhje për qytetarët.
“Tentimet e tyre për bllokim dhe sabotazh asnjëherë nuk kanë arritur të na ndalin. Ne kemi vazhduar me zhvillimin e Kryeqytetit, i kemi tejkaluar sfidat dhe do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, theksoi ai.
Në fund, Kryetari falënderoi UNDP-në dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen, si dhe qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar, duke kërkuar falje për gjendjen e krijuar.
“Bllokadat janë jashtë duarve tona, por pasojat po i përjetoni ju. Kryeqyteti nuk heq dorë nga qytetarët e vet”, përfundoi Rama.
