Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e radhës të enjten, duke filluar nga ora 10:00.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci ka njoftuar se në këtë seancë, përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, do të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare që kanë kaluar gjatë ditës së sotme në Komisionin për Legjislacion dhe që lidhen me fushën e drejtësisë.
Pas shqyrtimit të këtyre marrëveshjeve, do të mbahet edhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nagavci është pyetur edhe për kthimin në Kuvend të projektligjit për Dhomat e Specializuara nga presidentja e Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar diskutime me PDK-në, si parti iniciuese e projektligjit, me qëllim të arritjes së një pajtueshmërie për hapat e mëtejmë.
Sipas saj, nuk është në interes të krijohet një situatë e re përplasjeje ndërmjet presidentes dhe Kuvendit, ndërsa për çështjet përmbajtjesore ka shprehur pritjen se do të arrihet një marrëveshje.
“Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për këtë çështje, Nagavci ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ekziston një aktgjykim për këtë çështje, si dhe dy raste të tjera që, sipas saj, e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet.
“Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”, ka thënë Nagavci.
