Lajme Shqipëri

Pas ankesave, Erion Veliaj zhvendoset në sektorin spitalor të Burgut të Fierit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në sektorin spitalor të Burgut të Fierit, ku po mbahet aktualisht.


Sipas raportimit të Top Channel, i cili citon burime, vendimi për këtë lëvizje është marrë pas konstatimeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ankesave të vazhdueshme të Veliajt lidhur me trajtimin e gjendjes së tij shëndetësore.

Kryebashkiaku deklaroi më herët se gjatë qëndrimit në paraburgim nuk i është kushtuar vëmendja e duhur problemeve shëndetësore me të cilat përballet.

Problemet kishin nisur gjatë kohës kur Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit, ku kishte pësuar dëmtime në këmbë. Edhe pas transferimit të tij në Burgun e Fierit, ai kishte ngritur shqetësime për mosmarrjen parasysh të gjendjes së tij shëndetësore.

Zhvendosja e fundit bëhet brenda të njëjtit institucion penitenciar, por këtë herë në një sektor që shërben për trajtimin dhe kujdesin shëndetësor të të paraburgosurve.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse ky ndryshim ka ndonjë ndërlidhje me vizitën që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi në këtë burg pak ditë më parë. Deri më tani, nuk ka informacione të konfirmuara që sqarojnë nëse vizita e ministrit ka ndikuar në vendimin për zhvendosjen e Veliajt