Këshilli Prokurorial i Kosovës të enjten ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, në kuadër të hetimeve disiplinore për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, më 25 tetor.
Vuçetaj është suspenduar menjëherë nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës, transmeton Klankosova.tv
Ky institucion e ka arsyetuar vendimin e marrë ndaj Vuçetajt, e cila është konstatuar se gjatë gjithë kohës sa ishte në pozitën e udhëheqëses së Prokurorisë në Pejë, kishte pranuar kërkesa nga e ndjera dhe ishte në dijeni për urgjencën e tyre, si dhe rrezikun që i kanosej jetës së saj.
Derisa ishte në krye të Prokurorisë, ajo ishte në dijeni për të gjitha raportet e prokurorëve që kishin trajtuar rastet në të cilat Arlinda Zekaj kishte qenë palë e dëmtuar, si dhe për raportet zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me nivelin e rrezikshmërisë ndaj saj.
Sipas KPK-së, kryeprokurorja ishte njoftuar përmes Këshillit, kryesuesit Arian Gashi dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët i kanë kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të Arlindës.
Por, në vendim është konstatuar se Vuçetaj ka dështuar të ndërmerrte veprimet prokuroriale të kërkuara me ligj dhe nuk kishte marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara nga viktima.
Në arsyetim citohet dispozita ligjore që përcakton përgjegjësinë për mosmarrjen parasysh të të drejtave të dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për marrjen e masave për mbrojtjen e jetës, sigurisë dhe privatësisë së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në këtë kontekst, në vendim thuhet se si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme të kryeprokurores Vuçetaj në trajtimin e kërkesave urgjente të palës së dëmtuar, kishin ardhur pasojat fatale për Arlindën.
Veprimet e Vuçetajt kanë rezultuar në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë.


