Togeri i Policisë së Kosovës, Faruk Muçolli, nuk figuron më në Facebook, pas reagimeve të shumta për rastin e Arlinda Zekajt.
Fillimisht, Muçolli kishte fshirë të dhënat e profilit, kishte larguar fotografinë personale dhe postimet, duke vendosur një fotografi të zezë.

Nga kërkimet e fundit, llogaria e tij nuk është gjetur më në këtë rrjet social.
Muçolli u bë pjesë e reagimeve publike pas publikimit të një incizimi, në të cilin dëgjohet duke i thënë Arlindës se është lodhur me rastin e saj dhe se nuk e ka për obligim të merret me të.
Ai nuk ka pranuar të prononcohet për audioincizimet e publikuara nga biseda e tij me tashmë të ndjerën Arlinda Zekaj, në zyrën e tij, ku ajo shprehte shqetësimet për sigurinë e vet dhe të djalit të saj.
“Je tu me pengu. Nuk e kom pozicionin as kohën me u prononcu për media. Mundeni me iu drejtu zyrës për media. Je tu me pengu definitivisht.”, dëgjohet duke thënë Mulliqi pasi pyetet nga mediat lidhur me përmbajtjen e audioincizimeve.
Në audioincizime, Arlinda dëgjohet duke i shprehur policit shqetësimin për gjendjen e djalit dhe mungesën e veprimeve nga institucionet.
