Kosovë Kronikë Policore Lajme

Prokuroria e injoroi paralajmërimin e Arlindës se jeta e saj ishte në rrezik, reagon vetëm pasi ajo u vra

Gruaja nga Peja, e cila u vra të dielën në mbrëmje, tri ditë para rastit i ka paralajmëruar institucionet për rrezikun për jetën e saj.

Me një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj atyre që siç ka shkruar ajo, kishin dështuar t’i përmbushin detyrat e tyre, në mbrojtjen e jetës së saj.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dëshmuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja”, thuhet në letër.

Viktima tutje kishte shkruar se uron që institucionet përgjegjëse të mos detyrohen të japin llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta e saj, derisa letrën e dërguar e kishte quajtur “shpresën e saj të fundit”.

“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundon letra.

Gjithashtu sipas Policisë, ditën kur u vra në orën 19:00 në Stacionin Policor në Pejë viktima kishte njoftuar për dhunë në familje, ku ishte arrestuar bashkëshorti i saj e ishte ndaluar më pas për 48 orë. E më vonë, sipas njoftimit, viktima “me vullnetin e saj” ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomericë. Rreth orës 21:10 Policia ishte njoftuar se e njëjta ishte gjetur pa shenja jete.

I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili sipas Policisë është ende në arrati.

Viktima thuhet se ka vdekur pas goditjeve me mjet të fortë.

E pas publikimit të letrës së viktimës në media, në orët e para të së hënës ka reaguar Prokuroria Themelore në Pejë.

Prokuroria ka njoftuar se më 22 tetor, “kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor”.

“Me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, parashtresa u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent. Njëkohësisht, ajo iu përcoll për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet e mundshme apo veprimet e zyrtarëve përkatës, brenda kompetencave të tyre institucionale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.

Sa i përket ekzekutimit të vendimit gjyqësor, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ky vendim ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Lidhur me rastin ka pasur reagime nga ku është kërkuar dorëheqje dhe llogaridhënie nga personat kompetent në organet të cilat konsideroheshin që mund ta mbronin jetën e viktimës.