Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka dështuar ndihma e Qeverisë së Gjermanisë për “Pastrimin”, pasi ministri i Financave, Hekuran Murati nuk e nënshkroi.
Rama përmes një postimi në Facebook u shpreh se kjo që ka ndodhur është e turpshme.
“Është e rëndë dhe e turpshme që para partnerëve tanë ndërkombëtarë duhet të shpjegojmë pse një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët tanë po dështon për shkak të Qeverisë sonë. Por qytetarët nuk mund t’i lëmë të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave”, shkroi Rama mes tjerash.
Postimi i plotë:
NDIHMA E QEVERISË GJERMANE PËR “PASTRIMIN” DËSHTOI. NUK E NËNSHKROI HEKURAN MURATI!
Të dashur qytetarë,
Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqesisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfW ka njoftuar se granti për “Pastrimin” dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit.
Kaq!
E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente.
Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan.
Është e rëndë dhe e turpshme që para partnerëve tanë ndërkombëtarë duhet të shpjegojmë pse një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët tanë po dështon për shkak të Qeverisë sonë. Por qytetarët nuk mund t’i lëmë të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave.
Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund.
Situata me mbeturinat është e rëndë dhe qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje.
Dhe zgjidhje do të bëjmë. Menjëherë. Me urgjencë, në seancën e radhës të Kryeqytetit.
