Serbia voton të dielën, ndërsa një lëvizje masive protestash studentore synon të rrëzojë nga pushteti liderin populist prej kohësh, Aleksandar Vuçiç – sfida më e madhe ndaj sundimit të tij në më shumë se një dekadë, shkruan Reuters.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të shpallura nga Vuçiçi në shtator, vijnë pas gati dy vitesh demonstrata të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit dhe autoritarizmit në rritje. Këto protesta u nxitën nga vdekja e 16 personave, pas shembjes së strehës së një stacioni treni në qytetin e Novi Sadit në vitin 2024. Që atëherë, studentët kanë fituar një mbështetje të gjerë.
Radhë jashtëzakonisht të gjata u krijuan në qendrat e votimit në Beograd dhe Novi Sad para fillimit të votimit në orën 07:00 të mëngjesit. Votimi përfundon në orën 20:00, ndërsa treguesit e parë të rezultateve priten rreth dy orë më vonë.
Një fitore e studentëve do të shënonte një kthesë të thellë politike në këtë vend ballkanik me rreth 6 milionë banorë, duke sjellë ndërmend humbjen e Viktor Orbanit në Hungari gjatë muajit prill. Ajo gjithashtu mund të shërbejë si model për lëvizje të tjera studentore në mbarë Evropën, të cilat në javët e fundit kanë dalë në rrugë për të protestuar – në disa raste edhe me dhunë – kundër standardeve të dobëta në arsim dhe mungesës së perspektivës.
Por Vuçiç, i cili dha dorëheqjen nga mandati i tij i dytë si president për të kandiduar sërish për kryeministër, është një figurë që mban pushtetin. Shumë votues e falënderojnë atë që e nxori Serbinë nga errësira ekonomike dhe udhëhoqi një periudhë modernizimi të vazhdueshëm, duke përfshirë autostrada, hekurudha, shkolla dhe spitale të reja.
“Dola herët sot sepse studentët na bënë thirrje,” tha Ana, 30 vjeçe, në një qendër votimi në Beograd.
SONDAZHE TË OPINIONIT PUBLIK PARASHIKOJNË GARË TË NGUSHTË
Në planin e brendshëm, Vuçiç ka premtuar pensione dhe paga më të larta në sektorin publik, investime në sistemin shtetëror të kujdesit shëndetësor, si dhe subvencione për çiftet e reja. Në arenën ndërkombëtare, ai ka ruajtur një ekuilibër mes lidhjeve më të ngushta me Kinën – një investitor i madh – dhe Rusinë, aleaten tradicionale të Serbisë dhe furnizuesen kryesore të gazit natyror, ndërkohë që e ka lënë të hapur derën për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Axhenda e brendshme e studentëve synon të çrrënjosë korrupsionin dhe të përmirësojë arsimin, por ata kanë qenë më të rezervuar sa u përket ambicieve të tyre ndërkombëtare. Lista e tyre prej 250 kandidatësh, shumica e të cilëve janë pak të njohur, përfshin profesorë universiteti, aktorë dhe fermerë, dhe kryesohet nga kardiologu Ilija Srdanoviç.
Sondazhet e opinionit parashikojnë një garë të ngushtë. Në një sondazh të “Ipsos”, të publikuar të enjten, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit shihet në krye me 47% të votave, kundrejt 40% për studentët. Megjithatë, sondazhe të tjera i nxjerrin studentët në avantazh.
PROTESTAT E STUDENTËVE SHTOJNË PRESIONIN MBI VUÇIÇIN
Protestat në rrugë të udhëhequra nga studentët – të nxitura nga tragjedia në stacion – u shndërruan shpejt në lëvizjen më të madhe të një brezi, duke kërkuar dorëheqjen e Vuçiçit. Grupet për të drejtat e njeriut dhe aktivistët thonë se, në periudhën pas kësaj, represioni është përkeqësuar.
Bogdan Pavkoviç ishte një nga mijëra personat që u mblodhën të enjten në qendër të Beogradit për tubimin përmbyllës të studentëve. Ai u shpreh se dëshiron të ndryshojë “këtë sistem të tmerrshëm e të llahtarshëm, që na mashtron, na përgjon dhe na rreh”.
Zyra e Vuçiçit dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Vuçiçi dhe SNS-ja i kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për represion, korrupsion dhe përgjim të kundërshtarëve të tyre. Ai pretendon se studentët financohen nga agjentë të huaj në Kroaci dhe Mal të Zi – një akuzë të cilën studentët e hedhin poshtë.
“Kjo ka qenë një nga fushatat më të vështira, por edhe më emocionalet,” u tha Vuçiç mbështetësve të tij të enjten. “Ne u qëndruam përballë atyre që donin ta shkatërronin Serbinë.”
PËRKEQËSIM I MARRËDHËNIEVE ME BE-NË
Marrëdhëniet me BE-në janë tensionuar, pasi blloku është bërë gjithnjë e më i pakënaqur me mungesën e reformave në Serbi lidhur me gjyqësorin, sundimin e ligjit dhe korrupsionin.
Në një raport të këtij muaji, pas një vizite në Serbi, një delegacion nga organi për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës, vuri në dukje “retorikën armiqësore dhe agresive” ndaj kundërshtarëve.
Ndërsa në shtator, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi ceremoninë e madhe publike të varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç, e cila u mbajt në Beograd, duke thënë se ajo binte ndesh me “vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”.
