Kosovë Kronikë Policore Lajme

Skandal me tenderin e MSH-së: Aktakuzë ndaj pronarit të “Med Plus” për mashtrim!

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë ndaj Jeton Prenajt, drejtor dhe person përgjegjës i kompanisë “Med Plus” SH.P.K., si dhe ndaj kësaj kompanie, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, në një tender të Ministrisë së Shëndetësisë, ku ofertat për dy lote kapnin vlerën e mbi 513 mijë eurove.

Rasti lidhet me një tender të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale, për të cilin gazeta kishte raportuar në janar të vitit 2024, duke ngritur çështjen e një certifikate ISO që dyshohej se ishte paraqitur me afat të ndryshuar të vlefshmërisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Prenaj, në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë “Med Plus” SH.P.K., dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë në ofertën e dorëzuar në aktivitetin e prokurimit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.

“…më datë 19 Janar 2024, i pandehuri J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë ‘’M… P.. ‘’ SH.P.K., duke vepruar në emër dhe në interes të kësaj shoqërie, gjatë paraqitjes së ofertës në aktivitetin e prokurimit me titull ‘’Furnizim me material shpenzues medicinal nga LE (Lista Esenciale)’’ të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë”, thuhet në njoftim.

PROKURORIA

Në këtë tender, grupi i operatorëve ekonomikë kishte paraqitur oferta për Lotin 1, në vlerë prej 344 mijë e 955 eurosh, dhe për Lotin 3, në vlerë prej 169 mijë e 12 eurosh.

Sipas aktakuzës, në dokumentacionin e ofertës ishte përfshirë certifikata ISO 13485:2016, me numër 47014, e lëshuar nga autoriteti certifikues “NQA” për prodhuesin kinez “Forlong Medical Co., Ltd”.

Certifikata ishte paraqitur si dëshmi për përmbushjen e kërkesave teknike dhe profesionale të përcaktuara në dosjen e tenderit.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, certifikata kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022.

Prokuroria dyshon se në dokumentin e paraqitur në ofertë, data e skadimit ishte ndryshuar nga 18 tetor 2022 në 18 tetor 2024.

“Përmes paraqitjes së këtij dokumenti, dyshohet se i pandehuri J.P. ka shkelur me dashje rregullat e prokurimit publik lidhur me dokumentacionin që dëshmon përmbushjen e kritereve të tenderit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas prokurorisë, qëllimi i dyshuar ishte që autoriteti kontraktues të vihej në lajthitje për përmbushjen e kritereve të tenderit dhe të ndikohej vlerësimi i ofertës për dhënien e kontratës, në interes të kompanisë.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, ka kërkuar që atyre t’u shqiptohet ndalimi i pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

Gazeta Insajderi kishte raportuar në janar të vitit 2024 për dyshimet lidhur me dokumentacionin e paraqitur nga grupi i operatorëve ekonomikë “Med Plus” dhe “Radix Pharm” në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, Ministria e Shëndetësisë kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që të dy kompanitë të përjashtoheshin nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik për një vit.

Ministria kishte ngritur dyshime për certifikatën ISO 13485:2016, të paraqitur si e vlefshme deri më 18 tetor 2024. Por, sipas verifikimeve të përmendura në shkresën e Ministrisë, institucioni certifikues “NQA” kishte konfirmuar se certifikata me numër 47014 kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022.

Në kohën e raportimit, Ministria kishte kërkuar masa ndaj operatorëve ekonomikë, ndërsa çështja e përjashtimit të tyre nga prokurimi publik ishte në procedurë shqyrtimi.