Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar nga Ushtria Kroate në Qendrën “Marko Babic”.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Aktiviteti u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit, gjatë të cilit pjesëmarrësit u përballën me sfida që testuan qëndrueshmërinë e tyre fizike dhe mendore, aftësitë udhëheqëse, disiplinën dhe vendimmarrjen në situata të vështira.
Në këtë trajnim morën pjesë ushtarakë nga Kroacia, Kosova, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në njoftim, FSK-ja ka theksuar përkushtimin për zhvillimin e lidershipit ushtarak, ngritjen e profesionalizmit dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
