Një mjeke në QKMF-në e Ferizajt, përgjegjëse e vaksinimit, dyshohet se po orientonte pacientë drejt ordinancës private të bashkëshortit të saj, i cili është drejtor i Shëndetësisë në këtë komunë. Për këtë veprim, që Inspektorati Shëndetësor e ka vlerësuar si shkelje të ligjit, Dr. Drita Nazifi Emini është gjobitur me 2 mijë euro.
Vendimi i Inspektoratit dhe një video-incizim i siguruar nga Insajderi dokumentojnë rastin.
Në pamje, mjekja dëgjohet duke u shpjeguar pacientëve se ku ndodhet ordinanca private e bashkëshortit të saj.
“Është njëfarë doktor Kema…”, dëgjohet duke u thënë ajo pacientëve, në një rast të referimit nga sektori publik në ordinancën private të bashkëshortit, veprim që Inspektorati e ka konstatuar si shkelje të ligjit.
Inspektorati: Referimi nga publiku në privat është i ndaluar
Rasti u trajtua nga Inspektorati Shëndetësor pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale. Më 27 mars 2026, inspektorët kryen një kontroll të paplanifikuar në Qendrën e Vaksinimit në Ferizaj.
Në vendimin e datës 3 prill 2026, Inspektorati konstatoi shkelje të nenit 41, paragrafi 2, të Ligjit për Shëndetësi.
Sipas arsyetimit të vendimit, video-incizimi dëshmonte se pacienti ishte orientuar nga sektori publik drejt atij privat.
“Nga analiza e video-incizimit rezulton qartë dhe pa ekuivok se një mjeke referon pacientin nga sektori publik në sektorin privat. Ky veprim përbën referim të drejtpërdrejtë të pacientit jashtë sistemit publik dhe si i tillë bie në kundërshtim të plotë me nenin 41 të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi”, thuhet në vendim.
Inspektorati nuk i ka konsideruar të rëndësishme për vlerësimin e shkeljes as pretendimet e mbrojtjes për kohën kur ishte realizuar incizimi dhe as sqarimet për suplementet ushqimore të përshkruara.
“Pretendimi se video-incizimi i përket një periudhe para datës 12.03.2026, si dhe sqarimet lidhur me përshkrimin e suplementeve ushqimore, nuk kanë ndikim në vlerësimin juridik të veprimit të referimit”, thuhet në vendim.
Sipas Inspektoratit, çështja e shqyrtuar ishte referimi i pacientit nga sektori publik në atë privat, veprim që, sipas vendimit, ndalohet me ligj.
QKMF-ja nuk tregon nëse ka marrë masa ndaj mjekes
Përtej gjobës së shqiptuar nga Inspektorati, mbetet e paqartë nëse QKMF-ja në Ferizaj ka ndërmarrë masa ndaj mjekes dhe nëse ajo vazhdon ta ushtrojë detyrën e përgjegjëses së vaksinimit.
Insajderi i ka kërkuar drejtorisë së QKMF-së të sqarojë nëse ndaj Drita Nazifi Eminit është hapur ndonjë procedurë disiplinore dhe nëse ajo vazhdon të mbajë pozitën e saj.
Gazeta ka kërkuar gjithashtu të dijë se çfarë mekanizmash ka ndërmarrë institucioni për të parandaluar që pacientët të orientohen nga shërbimet publike drejt ordinancave private.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, QKMF-ja në Ferizaj nuk u është përgjigjur pyetjeve.
Bashkëshorti drejtor i Shëndetësisë, pa përgjigje për rastin
Rasti ngre pikëpyetje edhe për përgjegjësinë institucionale, pasi Kemajl Emini, bashkëshorti i mjekes së gjobitur, drejton Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj dhe është i lidhur me ordinancën private ku, sipas Inspektoratit, orientoheshin pacientët.
Gazeta e ka pyetur Eminin nëse ka qenë në dijeni për referimet e bëra nga bashkëshortja e tij dhe nëse, duke pasur parasysh pozitën që mban në komunë, e konsideron këtë rast një çështje që kërkon shqyrtim nga aspekti i konfliktit të interesit.
Gazeta ka kërkuar të dijë edhe nëse ai ka kërkuar sqarime për rastin apo ka ndërmarrë ndonjë veprim institucional pas vendimit të Inspektoratit.
Një tjetër çështje për të cilën Insajderi ka kërkuar përgjigje është nëse ekzistojnë të dhëna për numrin e pacientëve të orientuar nga sektori publik drejt ordinancës private dhe nëse mund të përcaktohet sa prej tyre janë referuar nga bashkëshortja e tij.
Pavarësisht pyetjeve të dërguara, Kemajl Emini dhe Drejtoria e Shëndetësisë në Ferizaj nuk i janë përgjigjur Insajderit deri në publikimin e këtij shkrimi.
KOSOVA FREE VOICE AGENCY- Bota ndryshon. Faktet mbeten!
