Lajme Shqipëri

Rama: Protesta po shfrytëzohet për destabilizim, dhuna s’ka lidhje me studentët

Kryeministri Edi Rama, gjatë një paraqitjeje mëngjesin e sotëm, ka akuzuar disa aktorë se po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë qytetare për të destabilizuar vendin dhe për të penguar procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Duart që janë futur këtu, për të shfrytëzuar manifestimin e pakënaqësisë qytetare në qershor, legjitim dhe të respektueshëm, janë duar që së bashku kërkojnë të shfrytëzojnë një moment, boshllëk, për të frenuar ecurinë e vendit tonë, për të destabilizuar një vend që ka eksportuar stabilitet dhe për ta frenuar procesin e negociatave me BE-në”, theksoi Rama.

Sipa tij, protesta nuk ka të bëjë as me studentët, as me nxënësit. Dhuna sipas tij, po vjen nga të rinj të ekstremizuar.

“Ky institucion është bërë objekti i sulmit dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e ‘Rrugës së Durrësit” dhe është vendosur në qendër të vëmendjes. Për të kamufluar çka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste, për të krijuar idenë se kjo është protestë për arsimimin, e studentëve dhe për të justifikuar të gjithë këtë valë dhune, ka të bëjë me një grup njerëzish, ku ka nga të gjithë. Ka edhe studentë, të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre. Problemi nuk janë dhe nuk do jenë studentët dhe qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës. Këtu flasim për ushtrimin e dhunës”, theksoi ai.