Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Egzon Shallkin, i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit, i cili vdiq më 10 shtator 2025, dy ditë pasi u godit nga një veturë në Viti.
Sipas aktgjykimit, ngjarja kishte ndodhur më 8 shtator 2025, në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti. Shallki, duke drejtuar veturën, kishte goditur një grup personash që po qëndronin në një tavolinë.
Nga goditja, disa persona kishin pësuar lëndime trupore, ndërsa Ferizi, pas transferimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kishte vdekur më 10 shtator.
Gjykata ka bërë të ditur se vepra penale ishte kryer në gjendje të “aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore”.
Për këtë arsye, trupi gjykues ka vlerësuar se, ndonëse janë marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese të rastit, Shallkit nuk mund t’i shqiptohet burgim i përjetshëm.
“Trupi gjykues me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ka marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese dhe ka përcaktuar dënimin me burgim prej 25 vitesh e jo dënimin me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas gjykatës, ky vendim është në përputhje me nenin 41, paragrafin 3, të Kodit Penal të Kosovës, i cili përcakton se burgimi i përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet një personi që, në kohën e kryerjes së veprës penale, kishte aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.
Përveç burgimit, Shallkit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, marrja e lejes së vozitjes për pesë vjet. Ky dënim do të nisë të llogaritet kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa koha e kaluar në burg nuk do të llogaritet në kohëzgjatjen e tij.
Gjykata ka vendosur që ndaj Shallkit të vazhdojë masa e paraburgimit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditësh nga pranimi i tij në formë të shkruar.
