Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar hetim të plotë dhe profesional lidhur me rastin e cenimit të sigurisë në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, pas raportimeve se një influencer i huaj kishte hyrë në kamp dhe kishte marrë pamje nga aty.
Përmes një postimi, Musliu ka bërë të ditur se i është drejtuar zyrtarisht Drejtorit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar sqarime lidhur me rastin, ndërsa ka njoftuar se tashmë ka pranuar përgjigjen për pyetjet e adresuara.
Ajo ka theksuar se, meqenëse Inspektorati Policor i Kosovës ka iniciuar hetim preliminar për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë, do të presë përfundimin e hetimeve.
Musliu ka shprehur shqetësimin për cenimin e sigurisë së objekteve vitale të sigurisë së vendit, duke kërkuar që përgjegjësitë të identifikohen mbi bazën e fakteve dhe institucionet përkatëse të japin llogari për çdo mangësi të mundshme.
“Llogaridhënia institucionale nuk është zgjedhje, por detyrim”, ka theksuar ajo, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale për rastin.
Deputetja e PDK-së ka bërë thirrje që, pas përfundimit të hetimeve, të publikohen gjetjet përkatëse dhe të ndërmerren masat e nevojshme për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Postimi i plotë:
Pas rastit të raportuar në për cenimin e sigurisë së kampit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, të premten me 17.10.2026 i jam drejtuar zyrtarisht Drejtorit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar sqarime lidhur me këtë rast.
Sot kam pranuar përgjigjen për pyetjet e adresuara. Ndërkohë, meqenëse Inspektorati Policor i Kosovës ka iniciuar hetim preliminar për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë që lidhen me sigurinë e kampit, do të pres përfundimin e hetimeve.
E shqetësuar për cenimin e sigurisë së objekteve vitale të sigurisë së vendit, kërkoj që hetimi të jetë i plotë dhe profesional, që çdo përgjegjësi të identifikohet mbi bazën e fakteve dhe që institucionet përkatëse të japin llogari për çdo mangësi të mundshme në garantimin e sigurisë së kampit.
Llogaridhënia institucionale nuk është zgjedhje, por detyrim. Çdo cenim i sigurisë së institucioneve të rëndësisë së veçantë duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Do të pres përfundimin e hetimeve dhe publikimin e gjetjeve përkatëse, në mënyrë që përgjegjësitë të sqarohen, të ndërmerren masat e nevojshme për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen dhe të kërkohet llogaridhënie për çdo lëshim, e papërgjegjësi të konstatuar.
Me këtë rast, falënderoj mediat raportuese, për publikimin e këtij rasti dhe për kontributin në vënien në lëvizje të organeve përgjegjëse.
Siguria e vendit kërkon vigjilencë, transparencë dhe llogaridhënie.
