Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 12 personave për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i parasë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit F.M., F.M., K.V., F.V., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M., G.Q. dhe S.M. kanë vepruar në bashkëpunim gjatë periudhës nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, përmes një skeme mashtrimi që përfshinte importimin e derivateve të naftës, përdorimin e autoboteve të modifikuara, faturimin e transaksioneve të dyshuara fiktive, si dhe deklarimin e pasaktë të qarkullimit dhe të detyrimeve tatimore, duke i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 4,637,893.69 eurosh.
Në mesin e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmend Quni.
Skema e manipulimit: Si fshihej nafta me ujë?
Mekanizmi i kontrabandës, i cili sipas Prokurorisë ka funksionuar në vazhdimësi që nga korriku i vitit 2021, ka qenë tejet i sofistikuar dhe ka përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me pronarët e biznesit “Standard Petrol sh.p.k.” në Durrës, të identifikuar në dosje si K.V. dhe F.V.
Nafta nisej nga Porti i Porto Romanos në Durrës. Për t’iu shmangur Doganës së Kosovës, cisternat i nënshtroheshin modifikimeve të rënda post-fabrikor.
Prokuroria ka zbuluar se brenda cisternave ndërtoheshin dhoma sekrete. Pjesa e brendshme e cisternave modifikohej përmes një portëze të hapur në mënyrë të fshehtë, duke krijuar hapësira ku rreth 90 për qind e vëllimit të cisternës mbushej me ujë natyral, ndërsa pjesa tjetër (komora e ndarë) mbushej me derivate të naftës.
Kur cisternat kalonin pikën kufitare të Kosovës, autobotet kalonin duke shmangur kontrollin e mirëfilltë doganor, pasi dhoma ndarëse e dukshme ose pjesa e jashtme testuese përmbante ujë natyral. Pasi kalohej kufiri, cisternat dërgoheshin në bizneset e tyre në Kosovë, ku bëhej zbrazja, ndarja e ujit nga nafta dhe më pas nafta e kontrabanduar hidhej në treg.
Për të mbyllur letrat dhe dokumentacionin, cisternat në Shqipëri ngarkoheshin fiktivisht në mjete transportuese sikur po lëviznin vetëm 20 për qind të sasisë së naftës drejt Kosovës, ndërsa sasia e mbetur e naftës së pastër u shitej në mënyrë të kundërligjshme bizneseve të tjera brenda Shqipërisë, duke krijuar një zinxhir mashtrimi me fatura të rreme.
