Kosovë Lajme Politikë

Dëshmia e ish-zyrtarit të LDK dhe ish-komandantit të FARK-ut u kërkuan të pranohen si prova nga mbrojtja e Krasniqit

Gjykata Speciale e ka bërë publik një kërkesë të mbrojtjes së Jakup Krasniqit të tetorit 2025, për pranimin si prova të dëshmive të një ish-pjesëtari të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një ish-komandanti të FARK-ut

Sipas panelit të Gjykatës, mbrojtja e Krasniqit deklaratën e ish-zyrtarit të LDK’së synon ta përdorë për krijimin e sistemeve paralele të arsimit dhe shëndetësisë, pjesëmarrjen e Jakup Kransiqit në LDK dhe aktivitetet gjatë viteve 97-98 dhe për perceptimin e Jakup Kransiqit për anëtarët dhe politikat e LDK’së, raporton Express, transmeton Periskopi.

Paneli i gjyqtarëve kishte konstatuar se deklarata e ish-zyrtarit të LDK’së ka vlerë provuese.

“Pasi ka konstatuar se deklarata e [REDACTED] është relevante dhe, në shikim të parë, autentike dhe e besueshme, Trupi gjykues gjithashtu vlerëson se deklarata e [REDACTED] ka vlerë provuese”, thuhet në dokumentin e datës 3 tetor 2025, i cili është bërë publik më 14 tetor 2026.

Në dokumentin e Speciales tregohet edhe për një dokument të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin Jakup Krasniqi kishte shprehur pakënaqësitë e tij sa i përket mënyrës së zgjedhjes së lidershipit të LDK’së gjatë viteve 97-98.

“Sa i përket dokumentit të LDK-së, Trupi Gjykues vëren se ai lidhet me dëshminë e [REDACTED] lidhur me aktivitetet e z. Krasniqi në LDK gjatë viteve 1997–1998.

Trupi Gjykues vëren se, kur iu prezantua ky dokument, [REDACTED] komentoi se [REDACTED], në atë kohë [REDACTED], nuk pajtohej me metodat e përdorura për zgjedhjen e udhëheqjes së LDK-së [REDACTED].

Për rrjedhojë, Trupi Gjykues është i bindur se dokumenti i LDK-së përbën një pjesë të domosdoshme dhe të pandashme të deklaratës së [REDACTED].

Trupi Gjykues vëren gjithashtu se dokumenti është i datuar dhe i nënshkruar. Trupi Gjykues është i bindur se dokumenti i LDK-së është relevant, prima facie autentik dhe i besueshëm, si dhe ka vlerë provuese.

Për më tepër, Trupi Gjykues vëren se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e kundërshton pranimin e tij si provë, ndërsa palët e tjera dhe Mbrojtësi i Viktimave do të kenë mundësinë ta marrin në pyetje dëshmitarin në mënyrë kundërshtuese lidhur me këtë provë shoqëruese.

Rrjedhimisht, Trupi Gjykues është i bindur se vlera provuese e dokumentit nuk tejkalohet nga ndonjë efekt paragjykues.

Për këto arsye, Trupi Gjykues konstaton se dokumenti i LDK-së është i përshtatshëm për t’u pranuar si provë në bazë të rregullave 138(1) dhe 154”, thuhet në dokumentin e Gjykatës Speciale, raporton Gazeta Express.

Tutje, në dokument tregohet edhe për disa dokumente të ofruara nga një ish-komandant i FARK-ut, e të cilat mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar që të pranohen si prova, meqë ato tregojnë për raportete në mes të UÇK’së dhe FARK-ut.

“Mbrojtja e Jakup Krasniqit argumenton se provat e propozuara nga dëshmitari [REDACTED] janë: (i) relevante; (ii) në pamje të parë autentike dhe të besueshme; dhe (iii) të përshtatshme për t’u pranuar në bazë të Rregullës 154. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e kundërshton pranimin e këtyre provave.

26. Sa i përket relevancës së deklaratave të [REDACTED], Trupi Gjykues vëren se [REDACTED] është ish-oficer profesionist ushtarak, me përvojë në [REDACTED], i cili iu bashkua Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) në [REDACTED], nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë në mërgim të vetëshpallurës Republika e Kosovës, të drejtuar nga Ahmet Krasniqi.Trupi Gjykues vëren se mbrojtja e Krasniqit synon të mbështetet në deklaratat e [REDACTED] lidhur me disa aspekte të çështjes së ZPS-së kundër z. Krasniqi, përfshirë: (i) themelimin e FARK-ut dhe hyrjen e pjesëtarëve të tij në Kosovë; (ii) marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe FARK-ut, si dhe linjat e komunikimit mes tyre gjatë periudhës së përfshirë në aktakuzë; (iii) përpjekjet për bashkimin e UÇK-së dhe FARK-ut; dhe (iv) qëndrimin e z. Krasniqi ndaj FARK-ut”, thuhet në dokument.

Në pikën 27 të vendimit, Trupi Gjykues thotë se është i bindur që deklarata e ish-gjeneralit të FARK-ut janë relevante për rastin.

“Pas shqyrtimit të deklaratave të [REDACTED], Trupi Gjykues vëren sërish se ato përmbajnë informacione që nuk janë relevante për këtë çështje ose që kanë vetëm relevancë të kufizuar. Megjithatë, Trupi Gjykues është i bindur se ato përmbajnë edhe informacione relevante për këto procedura, veçanërisht lidhur me rrethanat kontekstuale, marrëdhëniet ndërmjet udhëheqësve të UÇK-së dhe FARK-ut, disa veprime që i atribuohen z. Krasniqi, si dhe rolin e tij brenda UÇK-së.Për këtë arsye, Trupi Gjykues është i bindur se deklaratat e [REDACTED] janë relevante për akuzat e paraqitura në aktakuzë”, thuhet në dokument.

Paneli i gjykatësve e kishte pranuar kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.