Lajme Shqipëri

Rama: Besoj që do të kandidojë për kryetar të LDK-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se synon të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, ndonëse ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar.

Rama deklaroi se është i interesuar ta ndihmojë LDK-në dhe ta nxjerrë nga gjendja në të cilën ndodhet.

“Pas 12 vjetësh, LDK-ja është e para në kryeqytet. E kam ofruar ndihmën time gjatë gjithë kohës dhe vazhdoj ta ofroj. Sigurisht që jam i interesuar ta ndihmoj LDK-në dhe ta nxjerr nga gjendja ku është. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta dhe do të jem aty për ta”, u shpreh Rama.

I pyetur për mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e brendshme të LDK-së, ai tha se ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar, por la të kuptohet se është i prirë të hyjë në garë.

“Ende nuk e kam marrë vendimin, por besoj që po”.

Para disa ditësh, Rama kishte shprehur ambicien për t’u bërë kryeministër i Kosovës, në një video të publikuar më 10 tetor nga influenceri Khan, i cili realizon intervista spontane me njerëz në rrugët e New York-ut.

I pyetur për planet e tij të ardhshme, Rama ishte përgjigjur se “misioni i radhës” është të bëhet kryeministër, me synimin për ta rregulluar shtetin. Ai kishte kritikuar edhe kryeministrin aktual, Albin Kurti, duke thënë se nuk po bën punë të mirë.

Rama është kryetar i Prishtinës për mandatin e dytë, të cilin e fitoi si kandidat i LDK-së, ndonëse më herët ka deklaruar se nuk ka librezë të kësaj partie.