Kronikë Policore Lajme Shqipëri

Arrestohet 24 vjeçari që furnizonte protestuesit e Tiranës me mjete piroteknike, kishte mbi 40 mijë euro materiale

Policia ka zbuluar një banesë në rrugën “Jargavani” në Tiranë, ku magazinoheshin lëndë piroteknike të dyshuara si të kontrabanduara, dhe ka arrestuar në flagrancë një 24-vjeçar.

Gjatë kontrollit, janë sekuestruar 344 kuti me lëndë piroteknike të llojeve të ndryshme, me vlerë rreth 40 mijë euro.

Sipas policisë, i riu dyshohet se i furnizonte me këto lëndë persona të maskuar dhe të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.

Njoftimi i policisë:

Zbulohet një banesë ku ishin magazinuar lëndë piroteknike të kontrabanduara, dyshohet për t’ua shitur pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit, arrestohet 24-vjeçari. Sekuestrohen 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, me vlerë rreth 40 000 euro.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që kishte magazinuar në banesë sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, me qëllim përdorimin për qëllime të kundërligjshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks”. Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë 24-vjeçari.

Nga kontrolli në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike, që dyshohet se ky shtetas ua furnizonte personave të maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit.

Vijojnë kontrollet dhe veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.