Kosovë Lajme Sport

Edonisa Aliu konfirmon dhunën fizike nga Leci: Më tha ti je kur*ë, nënën e ki kur*ë, më kapi për fyti, më goditi

Edonisa Aliu ka konfirmuar se është përballur me kërcënim dhe sulm fizik nga panelisti Liridon Leci, pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini.

Në një bisedë me GazetaDemos, Aliu ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, në ambientet e studios televizive, ku një debat verbal mes tyre, sipas saj, ka përfunduar me dhunë fizike.

“Masi kemi dal prej aty me ka thënë ti je kurv, prostitutë, shitesh anej e shitesh këndej, nënën e ki kurv, familje kurvash, tani më kapi në fyt e tani ma hini në fytyrë boks a me duar kështu diçka”, theksoi Aliu për gazetën.

Ajo ka thënë se është e tronditur emocionalisht nga ajo që ka përjetuar, duke theksuar se asnjë debat apo mospajtim nuk mund të arsyetojë dhunën ndaj një gruaje.

“Është e tmerrshme me hy në një studio televizive për me diskutu për sportin, për diçka që e don dhe që është pjesë e jetës tane, e me dal prej aty e rrahun, e tronditun, e frikësume dhe e lëndume”, ka deklaruar Aliu për GazetaDemos.

Ajo ka theksuar se dhuna nuk duhet të arsyetohet, të normalizohet apo të heshtet, ndërsa ka bërë të ditur se reagimin e plotë publik do ta japë në profilin e saj zyrtar në Facebook, kur të jetë e gatshme.

“Por një gjë du me e thanë shumë qartë, dhuna nuk guxon me u arsyetu, nuk guxon me u normalizu dhe nuk guxon me u hesht”, ka thënë ajo.

Sipas raportimeve për rastin, Aliu e ka denoncuar Lecin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar se ai e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë pas përfundimit të emisionit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në objektin e RTV Dukagjinit në Shkabaj.

Aliu ka pranuar tretman mjekësor pas rastit, ndërsa Liridon Leci, në një reagim në Facebook, e ka mohuar sulmin.

Ndryshe drejtoresha sportive e klubit të futbollit të femrave Gramshi në Shqipëri ka dhënë një intervistë për “DEMOS” para disa ditësh ku foli për jetën personale dhe atë profesionale.