Kosovë Kronikë Policore Lajme

Babai dyshohet se vrau djalin 29-vjeçar në dhomën e ndejes, në shtëpi gjenden armë e municion

Detaje të reja janë siguruar për vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 11 tetorit në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar mbeti i vrarë brenda shtëpisë së tij.

Burimet bëjnë me dije se rreth orës 19:30, Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri. Patrulla policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e Bajram Arifit rreth 29 vjeç.

Sipas dyshimeve fillestare, viktima është qëlluar në njërën prej dhomave të ndejës, ndërsa për vrasjen dyshohet babai i tij, Remzi Arifi, i cili pas ngjarjes është larguar nga shtëpia me veturën e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, Krim-teknika dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Gjatë ekzaminimit të shtëpisë janë gjetur dhe konfiskuar disa armë dhe municion, përfshirë:

  1. një pushkë Crvena Zastava M48
  2. një pushkë gjuetie Shotgun, kalibër 12 GA
  3. një pistoletë, kalibri i së cilës ende nuk është përcaktuar
  4. 58 fishekë të kalibrit 12 GA
  5. 10 fishekë të kalibrit 16 GA
  6. 4 gëzhoja të kalibrit 12 GA

Të gjitha janë sekuestruar dhe pritet të përdoren si prova materiale gjatë procedurës së mëtejme.

Pas ngjarjes, Policia ka aktivizuar “Unazën e Çeliktë” dhe ka angazhuar patrulla e njësi të tjera në kërkim të të dyshuarit.

Deri në momentin e raportimit, Remzi Arifi ende ndodhet në arrati.

Rasti po hetohet për “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.