Kosovë Lajme

Presidentja bën homazhe në Prekaz, varri i Rugovës e Demaçit: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion

Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Presidentja, ka thënë se, Prekazi është simbol i qëndresës dhe sakrificës, ndërsa trashëgimia politike e Rugovës, për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne, përcjell Gazeta Express.

‘’ “Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, ka thënë presidentja për Adem Demaçin.

Komunikata:

Presidentja Shiroka Pula: Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave

Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.