Kosovë Lajme

“Kemi rezerva të thella ndaj Speciales”: Çka deklaronte Justina Pula për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së!

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kishte reaguar ndaj vendimit për dënimin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Pas vendimit, me të cilin ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, Shiroka-Pula kishte shprehur kritika ndaj mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se vendimi duhej të nxiste reflektim edhe për vetë natyrën dhe mandatin e kësaj gjykate.

“Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara”, shkruante Shiroka-Pula.

Ajo deklaronte se qëndrimi kritik ndaj Gjykatës Speciale buronte nga bindja se drejtësia duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme.

“Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive”, thoshte ajo.

Shiroka-Pula kishte theksuar se respekti për procedurat juridike nuk e përjashton të drejtën për kritikë institucionale.

“Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”.

Në reagimin e saj, presidentja e sapozgjedhur potenconte edhe rolin e UÇK-së në historinë e Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri”, kishte deklaruar Shiroka-Pula.

Ajo kishte thënë se, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, kishte “rezerva të thella” ndaj mënyrës se si Gjykata Speciale ishte konceptuar dhe perceptuar.

“Prandaj, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë”.

Shiroka-Pula kishte deklaruar se institucioni që ajo drejtonte ishte i gatshëm të ndihmonte në proceset e hulumtimit dhe interpretimit të të dhënave dhe fakteve lidhur me luftën në Kosovë.