Kosovë Lajme

BE reagon sërish: Ndryshimet në Ligjin për Specialen bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Bashkimi Evropian ka deklaruar se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndaj BE-së.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, ka thënë se mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po e vënë drejtësinë në vend, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, ka deklaruar Wigand.

Ai ka theksuar se BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si një institucion i pavarur gjyqësor.

“I bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe për të përmbushur zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u ofruar drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Duhet të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Reagimi i BE-së vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës, më 6 tetor, miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke e përmbyllur procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me miratimin e këtyre ndryshimeve, duke vlerësuar se ato bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

PDK-ja, e cila propozoi ndryshimet, ka kundërshtuar këtë qëndrim të BE-së, duke thënë se ndryshimet nuk synojnë zhbërjen e Dhomave të Specializuara.

Sipas PDK-së, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve që ka marrë, përfshirë hetimin e pretendimeve për trafikim të organeve.

Ndërkohë, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka komentuar për Radion Evropa e Lirë deklaratën e BE-së. Gjatë shqyrtimit të projektligjit në Kuvend, kryeministri Albin Kurti i kishte cilësuar ndryshimet e propozuara si “të nxituara”.

Debati rreth ndryshimeve ka ngritur edhe çështjen juridike nëse një ligj vendor mund të ndryshojë efektet e një marrëveshjeje ndërkombëtare me të cilën lidhet ai ligj.

Edhe pse Kuvendi i Kosovës ka kompetencë për të miratuar dhe ndryshuar ligje, ndryshimi i një ligji vendor nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Për ndryshimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare zbatohen procedurat përkatëse të përcaktuara nga vetë marrëveshja dhe e drejta ndërkombëtare.

Dhomat e Specializuara kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Institucioni është themeluar përmes një kuadri juridik të veçantë dhe funksionon si institucion i pavarur gjyqësor.

BE-ja është një prej mbështetësve kryesorë të Dhomave të Specializuara dhe, sipas të dhënave të publikuara, ka ndarë rreth 400 milionë euro për funksionimin e tyre që nga themelimi.