Kosovë Lajme Shqipëri

Kthehen kontrollet e dokumenteve në kufirin Kosovë-Shqipëri!

Pas përfundimit të sezonit veror, në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë rifilluar kontrollet e dokumenteve. Këtë e ka bërë të ditur korrespondenti i Klan Kosovës, Nuhi Salihu, në emisionin “Ora 7”.

Sipas tij, kontrollet kanë nisur nga dita e djeshme, pas mbarimit të periudhës së kalimit të lehtësuar. Gjatë verës, në bazë të marrëveshjes mes dy vendeve, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës e kanë kaluar kufirin me procedura të lehtësuara.

Megjithatë, regjimi i lehtësuar do të vazhdojë të zbatohet gjatë fundjavave dhe festave zyrtare edhe pas përfundimit të sezonit veror.

“Po, nga dita e djeshme kanë nisur sërish kontrollet e dokumenteve në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, pas përfundimit të periudhës së kalimit të lehtësuar gjatë sezonit veror.Sipas marrëveshjes mes dy vendeve gjatë periudhës së sezonit veror, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë kaluar kufirin sipas procedurave të lehtësuara dhe i janë nënshtruar kontrolleve të dokumenteve. Megjithatë, regjimi i lehtësuar do të vijojë gjatë fundjavave dhe festave zyrtare pas përfundimit të sezonit veror”, tha ai.